Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të mbështesë koncertin e muzikës së dhomës me pjesëmarrjen e kuartetit Musica Nova dhe pianisten Valeria Fasiello.
15.06.2026, ora 20:00
Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit
Programi:
Ervin Schulhoff – Pesë Pjesë për Kuartetin e Harqeve
Robert Schumann – Kuintet për Piano, Op. 44
Bashkëpunimi mes Kuartetit Musica Nova á Quattro dhe pianistes Valeria Fasiello zuri fill në kuadër të programit të specializimit në muzikë dhome pranë Konservatorit “Nino Rota” në Monopoli, nën drejtimin e violinistit të Kuartetit të Cremona-s, Simone Gramaglia.
“Á Quattro” është kuartet harqesh i platformës Musica Nova Ensemble, i themeluar në Tiranë nga muzikantët shqiptarë Xhudi Dodaj dhe Xhulia Dodaj (violina), Stela Bello (violë) dhe Remino Sula (violonçel). Katër muzikantët janë anëtarë të Orkestrës Simfonike të Ushtrisë Shqiptare dhe performojnë rregullisht në koncerte si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Në vitin 2025, kuarteti përfaqësoi Shqipërinë në Çmimin Filippo Nicosia, duke marrë një nga çmimet speciale. Ai është gjithashtu pjesë e rrjetit ndërkombëtar “Le Dimore del Quartetto” dhe luan me instrumente të prodhuara në Cremona nga luthieri Stefano Conia. Anëtarët kanë ndjekur klasa master dhe trajnime profesionale me muzikantë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë Boris Garlitsky, Jacques Ammon, Cristiano Gualco, Dimitri Hoffman dhe Peter Jarůšek, dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre artistik nën udhëheqjen e Simone Gramaglia-s.
Valeria Fasiello, e cila u diplomua me reaultate të shkëlqyera pranë Konservatorëve në Leçe dhe Monopoli, i vijoi studimet me mjeshtra të shquar italianë dhe europianë. Ajo ka një karrierë të admirueshme koncertesh si në Itali edhe jashtë saj, me shfaqje të transmetuara në Rai 5 dhe Sky Classica HD, si dhe është fituese e mbi tridhjetë konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka performuar me artistë të tillë si Simone Gramaglia, Anton Niculescu, Francesco Libetta, Emil Reinert, Leszek Możdżer dhe Gloria Campaner.
Që prej vitit 2018, ka formuar Duo Carrozzo–Fasiello me saksofonistin Andrea Carrozzo, duke performuar në seli prestigjioze ndërkombëtare si Philharmonie de Paris, Fondacioni Rockefeller në Bellagio dhe Salla Usmar Ismail në Xhakarta. Përveç aktivitetit të saj koncertor, ajo është e përfshirë në mësimdhënie dhe organizim kulturor si drejtor artistike e Shoqatës Salento Classica dhe anëtare e bordit artistik të Piano City Lecce.