Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të rinovojë mbështetjen e tij për edicionin X të Festivalit të Albania Guitar Festival me koncertin e M˚Aniello Desiderio.
18 qershor 2026, ora 19:30
Salla “Tonin Harapi”, Liceu Artistik Tiranë
Hyrja e lirë
Aniello Desiderio është një nga kitaristët klasikë italianë më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare. I lindur në Napoli në vitin 1971, ai filloi të studionte kitarë në moshën gjashtë vjeç me Pietro Piscitelli, Bruno Battisti D’Amario dhe Stefano Aruta, duke përsosur më vonë aftësitë e tij me kompozitorin kuban Leo Brouwer. Në vitin 1992, u diplomua me rezultate të shkëlqyera pranë Konservatorit “A. Vivaldi” në Alessandria.
I konsideruar si një enfant prodige i vërtetë, ai dha koncertin e tij të parë publik vetëm në moshën tetë vjeç. Gjatë gjithë karrierës së tij, ka fituar 18 çmime të para në gara të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Konkursin Ndërkombëtar të Havanës, Konkursin Francisco Tárrega në Benicassim, Spanjë, dhe Konkursin Guerrero në Madrid.
Që prej vitit 1989, është përfshirë aktivisht në koncerte ndërkombëtare, duke performuar në teatro dhe festivale të mëdha në Europë, Amerikë dhe Azi, duke bashkëpunuar me orkestra prestigjioze si Filarmonia e Berlinit, Orkestra e Dhomës së Vjenës, Deutsche Kammerphilharmonie dhe Virtuozët e Moskës të drejtuar nga Vladimir Spivakov. Ka performuar në vende prestigjioze si Carnegie Hall në New York, Konzerthaus i Vjenës dhe Mozarteum në Salzburg.
I vlerësuar për virtuozitetin e tij teknik dhe intensitetin interpretues, ai është veçanërisht i njohur për interpretimet e tij të Paganini-t, Scarlatti-t dhe të repertorit italian dhe spanjoll. Ka regjistruar albume të shumta për etiketa ndërkombëtare, dhe në vitin 2006, themeloi etiketën e tij diskografike, Adoro Records. Në vitin 2009, krijoi projektin “Quartetto Furioso”, kushtuar shkrirjes së muzikës baroke dhe tangos.
Që prej vitit 2010, jep mësim pranë Akademisë Ndërkombëtare Verore Mozarteum në Salzburg dhe është profesor kitare në Konservatorin “Domenico Cimarosa” në Avellino.