Instituti Italian i Kulturës (IIC) në Tiranë dhe Qendra Kombëtare për Librin dhe Leximin e Shqipërisë kanë kënaqësinë të paraqesin projektin “Çmimi Pashko Gjeçi për përkthimin nga letërsia italiane”, një nismë e re kushtuar përhapjes së letërsisë italiane në gjuhën shqipe dhe vlerësimit të rolit të rëndësishëm të përkthyesve letrarë në Shqipëri dhe Kosovë.
Në nder të Pashko Gjeçit, përkthyesit dhe intelektualit të njohur shqiptar që përfundoi përkthimin e parë të plotë në shqip të Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit, Çmimi thekson lidhjen e qëndrueshme midis kulturës letrare italiane dhe asaj shqipëtare. Përkthimet e Gjeçit përfaqësojnë edhe sot një gur themeltar të historisë së marrëdhënieve dhe dialogut kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë.
Çmimi do t’u jepet dy përkthyesve të gjuhës shqipe e do të mbështesë përkthimin dhe botimin e veprave letrare italiane ende të pa botuara në gjuhën shqipe. Nisma parashikon mbulimin e plotë financiar të përkthimit nga ana e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë si dhe mbështetjen për botimin nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Projekti pasqyron angazhimin e të dy institucioneve për të nxitur shkëmbimin ndërkulturor dhe përafruar trashëgiminë e letërsisë italiane me lexuesit e gjuhës shqipe. Në të njëjtën kohë, nënvizon rëndësinë e përkthimit si akt krijues dhe intelektual.
“Kjo nismë, jo vetëm që përhap letërsinë italiane në botën shqipfolëse, por krijon edhe një platformë thelbësore për të mbështetur dhe vlerësuar punën e përkthyesve të talentuar”, tha Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. “Duke ja dedikuar Çmimin Pashko Gjeçit, i bëjmë homazh një figure të nivelit të lartë të letërsisë e kulturës Shqipëtare, i cili me përkthimin e Dantes u bë pishtar i përsosmërisë ndërkulturore”.
Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, shtoi: “Jemi krenarë të bashkojmë forcat me IIC Tiranë për të mbështetur artin e përkthimit, i cili hap horizonte të reja për lexuesit e forcon lidhjet kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë”.
📄 Bando: clicca qui
📥 Modelli da scaricare: Modello A e Modello B