Filma dhe video të artistëve në Itali nga vitet '60 e deri më sot
kuruar nga: Bruno Di Marino
Çfarë ka qenë dhe çfarë është ende sot eksperimentimi me imazhet lëvizëse të realizuara nga artistë në vendin tonë nga vitet '60 deri në ditët e sotme? Kjo pyetje mund të gjejë përgjigje vetëm përmes një retrospektive që ofron rreth pesëdhjetë artistë filmash që mbulojnë gjashtë dekada kinema dhe video artistësh në Itali. Kjo nënndarje në dekada i ofron shikuesit një vizion të qartë dhe dëshmon, sipas një modaliteti linear, evolucionin e eksperimentit audioviziv të realizuar nga artistët, pa kompromentuar mundësinë e krahasimit të filmave të zgjedhur sipas një perspektive sinkron. Pse "Ekrane përballë"? Sepse gjuhët e përfshira janë dy: imazhet në lëvizje nga njëra anë, artet pamore nga ana tjetër; dy forma shprehëse që takohen në imagjinatën e të njëjtit artist, duke krijuar ndërhyrje stimuluese. Ekrani si një sipërfaqe projeksioni, por edhe filtër, që mbulon dhe në të njëjtën kohë zbulon, bëhet pajisja e një ndërlidhjeje të pashtershme. Por titulli i referohet edhe një dysheje tjetër, në raport me dy pajisjet që kanë ardhur njëra pas tjetrës, krah për krah dhe nganjëherë të mbivendosura: kinema dhe video, dy terma që sot - me unifikimin e mediave në epokën dixhitale - kanë humbur kuptimin por që, nga një këndvështrim historik, janë të dobishëm për të kuptuar disa pasazhe vendimtare në aspektin e estetikës dhe teknologjisë. Përzgjedhja që po prezantojmë është version sintetik i një përmbledhjeje të kuruar nga Bruno Di Marino për videogalerinë e muzeut MAXXI në Romë dhe i planifikuar nga data 19 shtator deri më 9 nëntor 2017. Retrospektiva përfshin rreth 6 orë film dhe video dhe shoqërohet personalisht nga kuratori i cili do të mbajë një leksion hyrës dhe do të prezantojë programet individuale për publikun.
Artist i ftuar: Antonello Matararazzo
Duke përshkuar eksperimentin për të analizuar pragun midis imazhit fiks dhe atij në lëvizje, shpesh duke u dhënë mikrolëvizje imazheve fotografike përmes teknikave morfing dhe warping, puna e tij përvetëson një specifikë gjithnjë e më të madhe ku tipari i përbashkët midis pikturës, videos dhe video -instalacionit duhet të kërkohet në prirjen e theksuar për thellimin e aspekteve introspektive dhe antropologjike. Për këtë karakteristikë, shumë Universitete, përfshirë Brera, Roma1, Pisa dhe Kembrixh, i kanë prezantuar veprat e tij në seminare dhe workshop për qëllime didaktike. Veprat e tij janë prezantuar në Bienalen e 53-të dhe 54-të të Artit në Venecia. Në Dhjetor 2014 Rarovideo / Minerva Pictures (Gianluca dhe Stefano Curti Editori) publikuan një DVD me një antologji të plotë të veprës së tij video me titull Antonello Matarazzo - Video dhe Instalacione, për kolanën "Interferenze" të kuruar nga Stefano Curti dhe Bruno Di Marino.
Gjatë takimit me artistin do të shfaqen vepra të ndryshme (videoart, instalacione,videoclip, spot, sigla), përfshirë veprat e fundit: Politik (2017, 2’10’’)- Bug (2018-19, 6’40’) - Quasi Fosse Amore (2017, 4’45”) - Todosentimento (2018, 7’50’’) - Laceno d’Oro (2014, 2016, 2018, complessivamente 4’).