Një ekspozitë fotografike e promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe e sjellë në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.
Arti takon artin në një ekspozitë fotografike që përjetëson dhe riinterpreton skulpturën neoklasike.
Bukuri e përjetshme. Mimmo Jodice dhe Antonio Canova bashkon dy artistë italianë të periudhave të ndryshme: një nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj të fotografisë bashkëkohore; një lidhje që bashkon idealen dhe realen, trupin dhe shpirtin, materien dhe imazhin.
Mimmo Jodice interpreton 17 skulptura të Canova-s me 51 shkrepje, nga të cilat katër ose pesë kushtuar çdo vepre arti. Zgjedh prespektiva dhe këndvështrime duke mbajtur një shkallë një-për-një midis detajeve skulpturore në fokus dhe madhësisë së printimit fotografik. Ai kërkon një lidhje të thellë me Canova-n, me vizionin e tij, procesin e tij krijues dhe në afrimin e skulpturave, ringjall trupin natyral, rrit butësinë e mishit duke e rikthyer në jetë.
“Thuhet se Antonio Canova, kur ua prezantonte punët e përfunduara klientëve të tij, e bënte atë në errësirë dhe vetëm me dritën e një qiri gjurmonte format e skulpturave, duke rritur bukurinë e tyre natyrore” (Mimmo Jodice, 2018)
Në të njëjtën mënyrë Jodice përpiqet t'ia kthejë shikuesit këtë pamje nga afër, me një vendosje mjeshtërore të burimeve të dritës dhe një hulumtim të kujdesshëm stilistik.
Canova në veprat e tij përpiqet të arrijë idenë absolute të së "Bukurës", konceptuar sipas parimeve neoklasike të formës së pastër, e privuar nga çdo mundim dhe tepri. Jodice, me një lexim novator, i tregon shikuesit një tension të ri, të cilin ai e shpreh duke këmbëngulur në detaje dhe duke theksuar kontrastet. Ai nuk kërkon shumë bukurinë, se sa intensitetin:
“nuk kam asnjë nocion të besueshëm për bukurinë. Është problemi im më i vogël të njoh diçka sepse është e bukur. Qëllimi i punës sime është intensiteti. Nga këtu vjen emocioni. Unë nuk njoh shtigje të tjera autentike» (Mimmo Jodice, 2016)
Fotografitë, të dala nga dialogu mes dy artistëve, janë dëshmi e prekshme e aftësisë së përjetshme të artit për të ngjallur emocione.
Mimmo Jodice, lindur në Napoli në vitin 1934, është një nga eksponentet më të mëdhenj të fotografisë italiane. I pasionuar pas artit, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, ai zbuloi fotografinë dhe potencialin e saj krijues, duke filluar një punë eksperimentimi dhe kërkimi konceptual në klimën e gjallë kulturore të neo-avangardës. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai i është përkushtuar portreteve dhe peizazheve, duke preferuar një vizion artistik të prejardhjes metafizike ndaj qasjes së thjeshtë dokumentare. Ai ka realizuar ekspozita të shumta në Itali dhe jashtë saj, midis të cilave Jodice Canova, ekspozuar për herë të parë në vitin 2015 në Fondacionin Francesco Messina në Milano.
Antonio Canova (1757-1822) lindi në Possagno, në Republikën e atëhershme të Venecias. Pikërisht në qytetin lagunor ai përfundoi formimin e tij si skulptor dhe hapi punëtorinë e tij të parë. Rëndësi thelbësore për zhvillimin e tij artistik pati qëndrimi i tij në Romë, gjatë së cilit ai iu afrua teorive neoklasike dhe, mbi të gjitha, antikiteti grek dhe romak e goditi atë thellë gjatë një prej vizitave në gërmimet e Herkulaneumit dhe Pompeit. Falë veprave si Amore e Psiche giacenti, Le Grazie apo portreteve të familjes Bonaparte, ai njihet si artisti më i madh në panoramën neoklasike europiane, si dhe një prej skulptorëve më të mirë të të gjitha kohërave.